FLETE DITARI 6 (Shqipëri 2009)
ARBER SHTEMBARI
1 shtator, e marte paradite.
(…) sigurisht, unë mund të kisha marrë avionin për të shkuar në Athinë. Përvec komoditetit që ofron udhëtimi me avion, fluturimi Tiranë-Athinë zgjat dicka më tepër se një orë. Por, përkundër dëshirës së familjes, një ndjenjë kurioziteti më shtyu ta ndajë këtë udhëtim me më të thjeshtët ndër shqiptarëve që udhëtojnë për në Greqi: vendosa të shkoj me autobus.
Shkoj në agjencinë A-T.që gjendet në rrugën Mine Peza. Në xhamin e jashtëm afishohen itineraret e linjave që përshkruajnë autobuzët e tyre. Itinerarët përfshijnë përgjithësisht linja ballkanike. Hyj. Nuk ka asnjeri. Pres. Nga krahu tjetër i rrugës, shoh një zonjë që vjen me nxitim drejt zyrës së agjencisë. “Po hë mër cun, të thash njëherë, autobuzi i Selanikut sapo është nis nga Gjykata, po vjen, shko prit atje!”. “Shih zonjë, se nuk jemi parë ndonjëherë. Në fakt erdha të blej një biletë autobuzi për Athinë.” Ajo, e zënë në “faj”, më gjegjet “Më fal se të ngatërrova më atë tjetrin, kam tre orë që i them prit atje. Ca deshe?”. “Për Athinë, nesër në mëngjes”. Ajo nxjerr ca blloqe të vegjël të bardhë, hap njërin prej tyre, bën një faturë, bileta është gati, kushton 55 euro. 55 euro, më duket një cmim korrekt. I zgjas 60 euro, por vërej një deformim gati histerik në fytyrën e saj “ooo, po ku ti thyej unë këto? Shko thyeji përballë, ja ku e ke biletën”. Ajo e hedh biletën me inat në një sirtar, ngrihet, ikën. Psherëtij, qëndroj një hop para byrosë së saj, ajo që më shkon ndër mend është vetëm pyetja “si është e mundur?”.
Kaloj rrugën, shkoj në agjencinë përballë, thyej eurot, rikthehem. Në zyrën e agjencisë AT gjej një zonjë tjetër dhe një adoleshent. Zonja i thotë: “O debil, të thash prit atje se po vjen autobuzi. Po e humbe, unë lekët s’ti kthej. Shko mër atje!” Adoleshenti, bëri një piruetë të cuditshme, ndoshta i corientuar nga ulërimat dhe doli jashtë. Hyj qetësisht si dikush që po i ruhet një qeni kërcënues, i them që bileta ime është gati, i zgjas eurot. Marr biletën. Pa dal ende mirë nga agjencia, jam duke e vënë në dyshim seriozisht nisjen time me autobus për në Athinë.
(tek 21-shi, ne mbrëmje)
I tregoj nje mikut tim për ngjarjen që më ndodhi. Pyetjes sime retorike të disa orëve më parë, miku im ju përgjigj thjesht: “Ej, je mësu anej ti, po këtu je në Shqipëri!”. Sa qindra herë mund ta kem dëgjuar këtë shprehje! C’do të thotë kjo “këtu je në Shqipëri?”. Me tepër se sa nje krahasim standartesh me vendet europiane, kjo me tingëlloi si “këtu është kaos dhe s’bëhet ndryshe, ndaj prano dhe hesht?! Të krijohet përshtypja sikur jemi mbërthyer pas një lloj standarti dhe po të kërkosh më tepër, humbet atë autenticitetin e shqiptarit, të konsiderojnë si “je anej”, sepse që të jesh “knej” dmth në Shqipëri, duhet të vetëkënaqesh me kushtet që të ofrojnë, madje t’ja dish edhe per nder.
(2 shtator, ora 4 e mëngjesit)
Zbres shkallët. Pallati fle. Deri në dy të natës patëm një disko të improvizuar para lagjes nga një makinë. Sa bukur…ti fle duke pëshpëritur fjalët e këngëve me koken poshte jastekut. Repertori ishte i zgjedhur. Moli, Sami Kallmi, një moment Lady Gaga, më pas vijoi pandërprerë Sinan Hoxha. Muzika infiltrohet ngadalë në gjumin tënd dhe ti fillon të bësh ëndrra erotike me Madonën shqiptare, Bleonën, Gjysten. Onirizmi nuk ndalet, derisa përpara të shfaqjen seanca parlamentare nga Jozefina. Ëndrrat kanë gjithmonë dozën e tyre të absurdit.
Eci. Autobuzi Athinës do të ndalet para ambasadës së Vatikanit, në fund të rrugës së Durrësit. Fresk, fllad mëngjezor që s’e ndjen në asnjë vend tjetër të botës, ndihesh mirë, mbushem me frymë, eci i sigurt, ky është qyteti im, e njoh përmëndësh, këtu nuk jam në banlieue parisienne rrethuar nga kulla getosh të shkarravitura grafitësh me “Të qifsha policinë” apo “Të qifsha Francën”, jo, mureve suva rënë janë rreshtuar emra shqipesh, ja atje paska kaluar një Besi dhe ka shkruar emrin e tij; këtu nuk jam as në Gare de Lyon, ku sheh me mijëra fytyra, por asnjë reale, maska pafund, ndërkohë që ja, atje tutje, drita e bukëpjekësit të lagjes është ndezur, Goni ka veshur përparësen e bardhë, duart plot miell shtrëngojnë një cigare të ndezur, në ballë, rrudhat palosen si fletë ditaresh ku shkruhen vite të mbushura plot sakrifica dhe mund. “Për ku kështu o Arbër?” “Në Athinë”, “Hajt pra rrugë e mbarë”. Eci. Agimi cel fare ngadalë rrugëve të zbrasura të Tiranës, dritat të zbehta porsi të lodhura nga një natë e pagjumë ndricojnë hije qensh që dremisin trotuarëve. Përkrah, një makinë policie ul gazin, vëzhgojnë, rinisen, për ti lënë vendin vec zhurmës së valizhes që shket mbi pllakat e ndotura. Dëgjohet vetëm ajo.
(…)
Tek ish Kafe Flora, aty tek sheshi i vendqëndrimit të taksive, pritet nga casti në cast të vij autobusi AT që shkon në Athinë. Ka shumë njerëz. Në fakt kanë ardhur 5 apo 6 autobuzë që shkojnë për ne Greqi. Destinacionet janë më së shumti për Athinë dhe Selanik. Kujtoj që kisha harruar të pyes nga cila pikë doganore do të kalonte autobuzi. Dikush më sqaron se autobuzët i bien ose nga Kapshtica ose nga Kakavija. Por bileta unë që kisha prerë shkonte nga Kapshtica. “Arrin në mesnatë atje” më thonë. Në mesnatë? Me një llogaritje të vogël kjo do të thoshte gati 20 orë rrugë. Dikush qesh. “Epo aq shkon” më thotë, “se 4 a 5 orë do ti kalosh tek greku në doganë!”.
Nisemi. Në autobuz s’jemi as pesë vetë. Shoferi më thotë që fluksi ka rënë, pasi pjesa më e madhe janë kthyer në Greqi. Nga Tirana, ne Durres, tek sheshi i autobuzeve hipin disa te rinj. Udhetojme drejt Elbasanit me pas ku autobuzi ndalet në një park autobuzësh. Njerëzit hipin, më pas zbresin sërish, hipin prapë, ngjeshin nëpër sedile canta të mbushura dëng. Dalëngadalë flegrat e hundës bezdisen nga era djath, era pulë, era Hugo Boss. Niset autobuzi. Deri në Qafë Thanë rruga është e mirë. Teksa autobuzi merr kthesën e fundit drejt saj, sheh përposhtë fushën e Domosdovës. Duket porsi një arnë e varfer. E s’të shkon ndërmend fitorja e Skëndërbeut, por mallkimi i turqve. Udhëtojmë përkrah liqenit te Ohrit. Rruga ëshë fare e ngushtë, e dëmtuar, shoferi shfryn në timon. Ndihmësi i tij, nxjerr dvd e Portokallisë dhe ndez televizorin e vogël sipër kokave tona. Si për ironi të fatit, fillon e shfaqjet skeci me Bollanon. Qeshim. Një qeshje e hidhur, e verdhë.
Ku jemi? Pogradec! Pogradec? Autobuzi can përmes një qyteti fantazëm, të shëmtuar, të shkatërruar, të pisët, të ndytë. Ky është Pogradeci i Lasgushit sot. Një hale gjigande. Autobuzi ndalet në mes të një rruge. Përkrah janë agjencitë AT. Zbres të blej një shishe ujë. Spektakli duket surreal. Me dhjetëra njerëz rrethojnë autobuzin sikur të kishte ardhur mesia në qytet. Rituali përsëritet, hipin, zbresin, shtyhen, “hajde misra të pjekur”, shtyhen, zihen, “karta amc, karta greke”, unë pi ujë si për ta shtyrë pakëz lëmshin e krijuar në fyt. Në kokë më vijnë skena filmike nga Afganistani. Pogradeci ynë i dashur i përngjan një Kandahari afgan Një turp i vërtetë. Nisemi. Dikush më ka zënë vendin. I shpjegoj që vendet janë të prenotuara, cdo pasagjer ka një numër, personi s’do t’ja dijë. Ndihmës shoferi i kërkon biletën personit në fjalë. Por ai ka hipur gabimisht në autobuzin e Athinës, ndërkohë që bileta e tij është prerë për Selanik. Ai zbret, unë zë vend. Nisemi. Pas shpinës, dy gra bisedojnë në sllavisht, udhëtari ngjitur me mua rregullon pashaportën greke në një portofol, ndërkohë që në xhep të këmishës i rendon nje pashaporte e kuqje…Asgjë s’pipëtin. Përvec Portokallisë në sfond.
Korce! Do të ishte e kot të përsëritesha. Kisha shkuar i vogël në Korcë. “Parisi i vogël” i thoshin dikur. Shtëpitë e bukura korcare, llampadarët me shumë sharm, njerëzit tepër të dashur. Por kjo nuk ishte Korca që unë kisha parë. Kjo nuk ishte as Korca që disa miq korcarë më kishin përshkruar para disa kohësh në Paris e që unë mezi prisja të shihja. Qyteti duket si gjymtyrë i prerë pas një bombardimi. Irritohem, mërzitem, dua të shkoj të kap ndonjërin prej fyti, kush e ka bërë këtë?! Kush e ka shkatërruar këtë qytet?! Kush?! Ngjeshem në sedilen time. Përmes qelqit, shoh me qindra njerëz që një zot e di se c’bëjnë aty në këtë orë të mëngjesit. Duket si vorbull insektësh që fluturojnë cuditshëm dhe pa sens. Një nënoke shamibardhë, mbështetur pas një muri, shet paketa. E vështroj, më vështron. E më duket sikur ai vështrimi i saj më thotë “Ja o bir, ti po shkon, dhe ne të mjerëve po na lë pas”. Më kujtohet gjyshja ime. Gjyshja e kujt ishte kjo nënë që shiste paketa herët në mëngjes?! Përlotem.
Arrijmë në Kapshticë rreth mesditës, apo dicka më pas ndoshta. Shoh doganën greke. Lexon Krystallopigi. Futemi në një rradhë autobuzësh dhe makinash. Shoferi fik motorrin, hap dyert dhe ne zbresim. Era e qofteve dhe salciceve që kundërrmon ajrin miksohet denjësisht me një manjetofon që këndon për Ali Pashanë. Në zgarë hidhen mishërat, bukët ndahen në mes, lyhen me mustard, me majonez, me ketchup, ngjeshen patatet e skuqura dhe sallami, 2 mije lekë të vjetra dhe një të bëftë mirë. Ka gjallëri, të gjithë duken të lumtur. Anës rrugës numëroj 5 kioska. Janë kioska të brezit të parë, si ato të viteve ’92-’97, me ca hunj të ngulur, ca plasmas, ca llamarinë, ca karrike plastike të bardha, edhe bujrum. Pisllik i paparë, koshi i plerave nga këto anë me siguri është zhdukur porsi dinozaurët në kohë. Por zemrat mbeten të pastra. Po a mjafton kjo? Bëj një xhiro në këmbë. Rradha e makinave është kilometrike. Vërej, që pas kioskave thellohet një kanal i madh vaditës. Mund të ketë pa frikë me ton e me ton plehra, shishe plastike, kufoma kafshësh, një tmerr i vërtetë i papërshkruar.Shoferi ben shenje pas disa minutash. Hipim serish. Kalojme doganen shqiptare. Asnje problem. As dhjete minuta pritje. Autobuzi i drejtohet doganes greke. Ngec ne rradhe. Ndalon. Zbresim serish. Vertitem rreth e perqark plot kuriozitet.I afrohem doganës greke. Një fytyrë e keqe e veshur me uniformë ushtarake greke ha akullore dhe jep urdhëra me zë të hollë nga larg.
(ora 4 mbasdite. Durimi po soset. Kemi 4 apo 5 orë që presim në diell. Ushtari grek ulur në hije ka ndërruar mbi dhjetë shije akulloresh…)
Na bëjnë me shenjë të afrohemi drejt kabinave te kontrollit te pashaportave. Kujdes, s’eshte shaka! Po hyjme ne Europe. Cuditerisht, si shume te tjere, po filloj të ndihem si kafshë. Arrin një moment dhe njeriu dhe vetë e pranon këtë kusht. Instiktet zgjohen, behesh agresiv, perpiqesh te mbijetosh. Ushtarët grekë ulërasin. Shoferi ndalon autobuzin para kabinës së policisë kufitare greke dhe fik sërish motorrin. Mbledh pashaportat dhe na thotë të mos zbresin se përndryshe mund të presim dhe tre orë të tjera si ndërshkim. Pritje. Dielli përvëlon. Ajri i kondicionuar është mbyllur. Mezi marrim frymë. Cnjerëzore. Ka fëmijë që qajnë, pleq që kolliten, ne të tjerët shfryjmë. Duket si film. Një nga ato filmat me nazistë dhe me cifutë. Ja dashuria e popullit vëlla grek me të cilin nesër sëbashku në Europë do të jemi një familje! Zbres nga autobuzi, të shkoj ku të shkoj. Marr frymë thellë, oksigjeni vërshon në mushkëri sa më bën të kollitem.
Duhet ta provoni vetë këtë udhëtim, që ta besoni. Nuk pendohem për zgjedhjen që kam bërë. Po e shoh me sytë e mi trajtimin që u bëhet shqiptarëve në kufi. Trajtim cnjerëzor! Shoh të tjerët që zbresin nga autobuzi. Një nga një, të gjithë janë poshtë. Një polic grek afrohet drejt nesh me nxitim duke bërë ca shenja me duar, fillon bërtet, kap dike për këmishe duke i folur greqisht. Zotëria ja kthen me një anglishte të pastër, se është reporter australian. Polici grek largohet menjëherë. Nuk u duk më. Një thank you nën zë i drejtohet zotërisë së huaj. Hapen paketat, ndizen cigaret, muhabeti piqet. Tregojnë sesi njëherë, policët grekë i kishin hedhur pashaportën përtokë një turku, kurse ai “pa ja bërë syri tërr” i kishte kërkuar policit grek t’ja jepte në dorë. Greku kishte refuzuar. Atëherë qytetari turk i kishte telefonuar ambasadës turke në Athinë. Përplasja rrezikonte të shndërrohej në incident diplomatik. Brenda pak orësh, kishin mbërritur zyrtarë të lartë turq e grek. Përfundimi. Turkut i ishte kërkuar falje, pashaporta i ishte dhënë në dorë, dhe gjithë personeli grek ishte përjashtuar nga detyra. Pyes veten, sa pashaportat shqiptare jane hedhur, janë grisur, janë shqyer, janë ngrënë nga policia greke, po a ka ardhur njeri nga shteti ynë në ndihmë të qytetarëve shqiptarë? E të mendosh që zyrtarët tanë përgjegjës paguhen dhe gëzojnë privilegje pikërisht nga taksat tona. E të mendosh që i zgjedhim pikërisht për të na qenë në krah në ditë të vështirë. “S’kemi shtet or jo! Se te kishim, ja bëje grekut rrup sup.”.
Pas pesë orë odiseje në doganë, autobuzi më në fund hyn në tokën grek, sikur të hynte në tokën e perëndive. Panorama është krejt e ndryshme. Në kontrast me kafshërinë e policisë greke në doganë, rruga është e mirë, nuk ka plera e nuk ka as kioska. Autobuzi can përmes malesh dhe luginash. Deri në Athinë, kemi dhe 8 orë rrugë.
(…vazhdon…)